beqiraj.de

Tipps, Tools, Treiber, Software und mehr für Desktop und mobile Geräte

Deklaratë e Kryeministrit të Shqipërisë për njohjen e Republikës së Kosovës

Deklaratë e Kryeministrit të Shqipërisë për njohjen e Republikës së Kosovës

Duke u bazuar në Deklaratën e Kuvendit të Shqipërisë, datë 21 tetor 1991, në mbështetje të vendimit të Kuvendit të Kosovës të datës 17 shkurt 2008 për shpalljen e Pavarësisë, bazuar në të drejtën e popujve për vetëvendosje, nisur nga parimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, nesër do të thërras mbledhjen e Këshillit të Ministrave për të vendosur ngritjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërsisë dhe Republikës së Kosovës në rang ambasadorësh.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë e konsideron krijimin e Shtetit të Kosovës një ngjarje historike, që sanksionon të drejtën e qytetarëve të Kosovës për të vetvendosur dhe që e bën Ballkanin më të lirë, më të drejtë se kurrë në tërë historinë e tij shekullore. Pavarësia e Kosovës i jep fund procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, krijon kushtet e nevojshme për zhvillimin e qëndrueshëm e të gjithanshëm të të gjithë shoqërisë kosovare, përfshirë perspektivën konkrete për integrimin sa më të shpejtë të saj në institucionet europiane dhe euro-atlantike. Me shpalljen e pavarësisë, Republika e Kosovës bëhet një aktor i denjë në arenën ndërkombëtare,  faktor madhor paqeje dhe stabiliteti në rajon, me orientim të qartë euro-atlantik, faktor i rëndësishëm për paqen, stabilitetin, sigurinë, zhvillimin dhe integrimin e harmonizuar të rajonit të Evropës Juglindore.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë përshëndet angazhimin e Kuvendit të Kosovës në Deklaratën për Pavarësinë për zbatimin e paketës Ahtisari si dhe ftesën për të mirëpritur praninë ndërkombëtare civile dhe ushtarake të Bashkimit Europian dhe të NATO-s në Kosovë.

Qeveria shqiptare përshëndet angazhimin e qartë të autoriteteve zyrtare në Deklaratën Pavarësisë së Kosovës, për ndërtimin në Kosovë të një shoqërie demokratike, laike dhe shumetnike, ku, pavarësisht nga përkatësia etnike, çdo banues i saj ta ndjejë veten qytetar të lirë në shtëpinë dhe pronën e tij të barabartë përpara ligjit, duke garantuar kështu mbrojtjen dhe nxitjen e të drejtave dhe lirive te individit dhe të pakicave kombëtare.

Duke konfirmuar angazhimin e plotë për respektimin e kufijve ndërkombëtarë,  Qeveria e Republikës së Shqipërisë është e vendosur që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me Republikën e Kosovës, të ndërtuara historikisht dhe të forcuara në vijimësi, t’i zgjerojë dhe t’i thellojë më tej, duke e shtrirë dhe institucionalizuar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha nivelet, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, nëpërmjet vendosjes së një partneriteti të ngushtë. Në këtë kuadër, Këshilli i Ministrave vendos nesër për ngritjen e përfaqësisë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, në nivel Ambasadori.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë shpreh bindjen se shtetet anëtare të OKB-së do ta njohin Republikën e Kosovës si një kontribut real shtesë tjetër i tyre në paqen dhe sigurinë në Ballkan, duke respektuar kështu edhe vullnetin e ligjshëm të popullit të saj.

Në të njëjtën kohë, Qeveria e Republikës së Shqipërisë konfirmon vullnetin e saj të plotë për marrëdhënie të mira e miqësore me të gjitha vendet e tjera të rajonit, përfshirë dhe Republikën e Serbisë në perspektivën evropiane të vendeve tona.

18/02/2008

Source: Keshilli i Ministrave
http://www.keshilliministrave.al/index.php?fq=brenda&m=news&lid=7323&gj=gj1 - Download - PDF-Datei

Weblinks -> Kosovo Independence

Kommentare sind geschlossen